Endodonti
Trajtimi i kanaleve i quajtur ndryshe dhe Endodonti, është ndër procedurat më delikate e të vështira në fushën e stomatologjisë. Kërkon një njohuri të thellë të anatomisë, fizpatologjisë, kimisë e fizikës, aftësi të larta manipulative dhe kohë të bollshme për të trajtuar me kujdes e ngadalë çdo mm gjatësi të kanalit. Në këtë procedurë mjeku largon nervin (e infektuar apo të degraduar nga proceset inflamatore) dhe mbeturinat e tjera nga kanali, për të parandaluar kalimin e infeksionit në indet e tjera rreth rrënjës dhe fillimin e absesit.
Pse duhet bërë një trajtim endodontik?
Nervi i dhëmbit e humb vitalitetin kur qarkullimi i gjakut ose inervimi i tij çrregullohet dhe kjo zakonisht vjen nga kariesi i thellë i pamjekuar. Arsye tjetër mund të jetë fraktura (thyerja) e kurorës së dhëmbit me hapje të pulpës ose e rrënjës së dhëmbit në goditje të forta. Në disa sëmundje të organizmit si diabeti i avancuar apo sëmundje të mishrave si paradontoza, çrregullimi i qarkullimit të gjakut në nerv vjen nga infeksioni i indeve përreth, ndonëse dhëmbi mund të mos ketë karies. Një dhëmb me nerv jovital që lihet në gojë për një kohë të gjatë pa iu nënshtruar terapisë, mund të çojë në formimin e infeksioneve rreth rrënjës apo abseseve, ndaj trajtimi me kohë është shumë i nevojshëm.
Kur nevojitet trajtimi i kanalit?
- Nëse keni ndonjë nga simptomat e poshtme atëherë ka shumë mundësi që ju të keni nevojë për trajtim të kanalit.
- Dhimbja e fortë ose mesatare gjatë konsumimit të ushqimeve a lëngjeve të ftohta e të nxehta.
- Dhimbja e fortë ose mesatare gjatë kafshimit vertikal në një dhëmb të caktuar.
- Ndjeshmëria e tepruar gjatë shtypjes me gisht në një dhëmb të caktuar.
- Dhimbja e dhëmbit që prish gjumin gjatë natës.
- Një fistulë në gingivën poshtë dhëmbit e cila shpërthen dhe rrjedh gjak e qelb dhe përsëritet herë pas here.
- Dhimbja që iradohet (shpërhapet) në pjesë të tjera të fytyrës (syri, veshi, sinusi, etj).
- Dhimbja e fortë që provoni gjatë ngjitjes së aeroplanit në një dhëmb të caktuar.
Si realizohet trajtimi i një kanali?
Procedurat e heqjes së nervit shoqërohen me anestezi në mënyrë që pacienti të mos ketë dhimbje. Pastaj vazhdohet me hapjen e plotë të dhëmbit, izolimi nga pështyma dhe me mjetet e nevojshme (si gjilpërat) bëhet largimi i nervit, përpunimi e pastrimi i kanalit, shpëlarja me solucionet përkatëse dezinfektuese e në fund mbushja e mbyllja hermetike e kanalit. Ndonjëherë është e nevojshme vendosja e pastave devitalizuese dhe vazhdimi i përpunimit të kanalit kalon në seancën e dytë. Dhëmbët me rrënjë të infektuara kërkojnë procedura më të zgjatura deri në arritjen e shërimit të tyre.
Suksesi i punës së endodontit është higjiena e lartë, respektimi i asepsisë dhe kujdesi i tepërt gjatë përpunimit mekanik me dorë apo me instrumente rrotulluese. Në klinikën tonë endodontia zë vend të rëndësishëm. Ne sigurojmë për higjienë maksimale dhe green dentistry (stomatologjia pa ndotje të ambientit). Të gjitha instrumentet janë të përdorshme vetëm për një pacient me qëllim mbrojtjen nga cross contamination apo kalimi i sëmundjeve infektive nga njëri pacient në tjetrin. Për këtë arsye shumë nga mjetet tona të punës janë njëpërdorimshe ose atyre ju bëhet autoklavizim i kujdesshëm. Paketimi i instrumentave dëshmon për njëpërdorimin e tyre.
Enedent mburret për cilësinë e lartë të mbushjeve të kanaleve dhe suksesit të përsëritur në mjekimin e dhëmbëve me infeksion. Të gjitha këto të ndihmuara nga teknologjia ndihmëse e apexlocatorit, endomotorit dhe sistemit të obturimit.