Pedodonti
Më të vegjlit tanë kanë nevojë për trajtim të veçantë e të kujdesshëm. Shëndeti i mirë oral u lejon atyre të ushqehen mirë duke siguruar edhe një shëndet të përgjithshëm të mirë.
Në klinikën tonë trajtohen fëmijët në përputhje me grupmoshën e tyre dhe nevojat e tyre. Këshillat për moshat e vogla 1-2 vjeçare iu jepen prindërve, ndërsa kontrolli i parë preferohet që të bëhet rreth moshës 2 vjeçare, thjesht për prezantimin e ambientit mjekësor ku fëmija do të trajtohet më vonë. Me këtë rast, fëmija shpërblehet me dhurata apo fletë mirënjohjeje, që t’ia bëjmë sa më të këndshme njohjen e parë me personelin. Kështu, ai fiton besim dhe nuk heziton që të vijë në kontrollet e ardhshme.
Nuk mjaftohemi vetëm me kontrollin e dhëmbëve të dëmtuar. Detyrë e jona është edhe vlerësimi i anomalive dento-faciale dhe ritmit të zhvillimit e të rritjes.
Çfarë janë silantet?
Silanti është një shtresë shumë e hollë kompoziti të veçantë, që aplikohet në sipërfaqe të molarëve dhe premolarëve, apo dhe në çdo gropëz tjetër në sipërfaqe të dhëmbit. Më shumë se 15% e kariesit fillon në thellimet natyrale të dhëmbit. Këto thellime janë të vështira për t’u pastruar dhe shumë të prirura për karies. Silanti i mbush ato duke krijuar një sipërfaqe të lëmuar dhe lehtësisht të pastrueshme.
Silanti e mbron dhëmbin për vite me radhë
Ku aplikohet?
- Dhëmbët e qumështit.
- Dhëmbët që kanë shumë thellime dhe dhëmbët e prirur për karies.
- Fëmijët dhe adoleshentët, në të gjithë dhëmbët e përhershëm që kanë dalë duke filluar nga mosha 6 vjeçare.
- Të rriturit: dhëmbët që kanë forma natyrale shumë të thelluara dhe kanë vështirësi në pastrim, sidomos dhëmballët e pjekurisë që janë thellë e të pafavorshëm për pastrim e shpesh në pozita jokorrekte.
Fluori
Fluori është agjenti më efektiv në profilaksinë e kariesit. Është një mineral që e gjejmë në mënyrë natyrale në ushqime dhe ujë. Të mirat e fluorit njihen prej më se 50 vitesh dhe mbështeten nga shumë organizata botërore shëndetësore. Sot ekzistojnë programe të vërteta mbi fluorizimin aktiv të ujit të pijshëm. Fluori merret me dy rrugë:
1. Fluori topikal
Rrit fortësinë e dhëmbit pas daljes së tij, depozitohet në sipërfaqe të dhëmbit dhe e bën atë më rezistent ndaj kariesit. Veprimin e tij fluori topikal e realizon nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me sipërfaqen e dhëmbit. Ai merret nga pastat e fluorizuara për pastrimin e dhëmbëve, solucionet shpëlarëse të gojës, xhelet apo llaçet me të cilat lyhet dhëmbi. Rekomandohet që tek fëmijët të bëhet fluorizimi topikal me llak çdo 6 muaj, gjatë kontrollit rutinor të fëmijës tek mjeku stomatolog.
2. Fluori sistemik
Rrit fortësinë e dhëmbit që ka dalë, por edhe atij që ende është në zhvillim e sipër. Fluori sistemik e realizon veprimin e tij nëpërmjet kalimit nga trakti intestinal në qarkullimin e gjakut; mbërrin në sistemin e enëve të dhëmbit dhe depozitohet në formën e hidroksiapatitit në strukturën organike. Fluori sistemik sigurohet nëpërmjet ujit të pijshëm dhe ushqimeve, por mund të merret dhe me anën e tabletave, xheleve të inkapsuluara apo sprejeve me fluor. Fluori me pika rekomandohet për fëmijët nën 1 vjeç, me tableta për ata më të rritur.
E rëndësishme është të monitorohet saktë sasia e fluorit ditor të konsumuar. Sasia e tepërt çon në shfaqjen e sëmundjes së fluorozës, që manifestohet me njolla të bardha ose kafe në sipërfaqe të dhëmbëve. Duke analizuar dietën ushqimore, ujin, pastën për larje dhe suplementet e fluorit, mjeku arrin në caktimin e saktë të dozës ditore të nevojshme për përdorim.
KUJDES: Vetëm fluorizimi nuk është i mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga kariesi. Fluorizimi merr një rëndësi të veçantë në rastin e grave shtatzëna, nënat që ushqejnë fëmijën me gji, fëmijët nga 0-14 vjeç. E rëndësishme është gjithashtu të lani dhëmbët dy herë në ditë, të merrni ushqim të balancuar dhe të bëni kontroll të rregullt çdo 6 muaj.