Proteza Dentare

Mungesa e pjesshme apo e plotë e dhëmbëve kërkon trajtim protetik. Në kuadër të këtyre procedurave ju mund të keni nevojë për kurora, ura ose proteza dentare. Konsultohuni me mjekun për të parë opsionet që ofron protetika dentare për të individualizuar trajtimin e mungesave të dhëmbëve.

Kur tërësia strukturore e dhëmbit është tepër e dëmtuar, për të rikthyer formën dhe pamjen e dhëmbit na nevojitet një kurorë. Kurorat mund të jenë prej materialeve të ndryshme si porcelan, zirkon, metal apo metal qeramike. Sot për arsye të estetikës gjithnjë e më tepër po përdoren kurorat prej porcelani dhe zirkoni. Ato janë të qëndrueshme dhe rezistente ndaj forcave të kafshimit dhe përngjajnë shumë me dhëmbët natyralë. Sidoqoftë, ju do të merrni sugjerime mbi llojin e materialit me të cilin mund të përgatitet kurora dhe së bashku do të diskutojmë për zgjedhjen më të mirë.

Kur përgatitet një kurorë:
  • Dhëmbë të frakturuar apo të thyer
  • Drejtimi estetik i dhëmbëve të rrotulluar apo jashtë pozitës normale
  • Dhëmbët thellësisht të dëmtuar nga kariesi
  • Dhëmbët me mbushje të mëdha dhe jovitalë
Si realizohet:

Për të përgatitur një kurorë ju duhen tri takime.

Në takimin e parë përgatitet dhëmbi dhe merret masa. Një punim i përkohshëm mund të vendoset derisa të merret ai përfundimtar.
Në takimin e dytë bëhet prova e kurorës, shihet raporti me dhëmbët e tjerë dhe caktohet ngjyra. Mjeku sugjeron dhe së bashku mjek-pacient vendosin mbi ngjyrën më të përshtatshme.
Në takimin e tretë bëhet ngjitja fikse e kurorës. Ajo rikthen formën dhe pamjen e dhëmbit. Ju do të mund t’i përcillni pamjet brenda gojës në monitorin para jush me ndihmën e kamerave intraorale. Kështu do të keni të qartë se ç’po ndodh në gojën tuaj. Në fund do të mësoheni se si të kujdeseni për kurorën e re.
Higjiena e mirë orale dhe vizitat e rregullta dentare do të zgjasin jetën e kurorës tuaj të re.

Onlay Lithium Disilikat (Emax)

Onlay është një restaurim i dhëmbit që përgatitet prej materialeve si kompoziti, ari apo porcelani. Onlay prej Lithium Disilikat (Emax) është më i preferuar prej pacientëve sepse ngjan me dhëmbin natyror jo vetëm në formë por edhe në ngjyrë. Onlay-ve shpesh ju referohemi edhe si kurorë parciale. Ata realizohen në laborator nga teknikët dhe ngjiten në dhëmb në mënyrë fikse. Onlay-et përdoren për të riparuar në mënyrë konservative dhëmbët që kanë mbushje shumë të mëdha defektoze, ose janë të dëmtuar nga kariesi dhe traumat. Në fakt, ato janë një alternativë shumë e mirë ndaj kurorës së porcelanit e cila vesh gjithë dhëmbin dhe kërkon “sakrifikim” të një sasie të madhe materiali dentar. Onlay është i ngjashëm me inlay, por në një onlay përfshihet një defekt më i madh me ndërtim edhe të tuberkulave të dhëmbit. Onlay-et janë rezistente për shumë vite, duke ju dhënë formë dhe ngjyrë ideale për një buzëqeshje afatgjatë.

Kur realizohet një onlay:
  • Në dhëmbët e thyer distal
  • Në dhëmbët me karies masiv
  • Në mbushjet e mëdha të thyera
  • Në riparimet estetike distale
Si përgatitet:

Për të realizuar një onlay ju nevojiten dy takime.

Në takimin e parë, pasi pastrohet dhe jepet forma e duhur e kavitetit, merret masa. Dhëmbi mbyllet me mbushje të përkohshme, ndërsa masa çohet në laborator, ku tekniku përgatit me precizitet të lartë restaurimin e ri onlay.
Në takimin e dytë dhëmbi pastrohet nga mbushja e përkohshme dhe onlay-i fiksohet me material ngjitës të posaçëm. Kontrollohet përputhshmëria marginale dhe mbyllja e gojës, dhe pacienti mësohet si të kujdeset për punimin e ri.
Higjena e mirë orale, dieta ushqimore e balancuar dhe vizitat dentare të rregullta do të zgjasin jetën e onlay-it tuaj të ri.

Inlay Porcelani

Inlay është një punim protetikor i realizuar me materiale si kompoziti, ari apo Lithium Disilikati (Emax porcelain). Inlay prej porcelani është më i preferuari sepse ngjan shumë me dhëmbin natyror. Përgatitet nga tekniku në laborator dhe ngjitet në mënyrë fikse me dhëmbin. Inlay-t shërbejnë për të riparuar në mënyrë konservative dhëmbin me defekte të mëdha si pasojë e kariesit apo traumave. Janë një alternativë ideale ndaj përdorimit të mbushjeve konvencionale si argjendi apo kompoziti. Ashtu si gjithë punimet dentare, edhe inlay-i ka nevojë për kontrolle të herëpashershme dhe zëvendësim pas një kohe. Janë rezistente dhe sigurojnë estetikë perfekte.

Si realizohet:

Për të realizuar një inlay, ju nevojiten dy takime.
Në herën e parë merret masa me kujdes pasi të jetë pastruar dhëmbi nga kariesi dhe janë bërë korrigjimet e duhura në formën e kavitetit. Masa çohet në laborator ku tekniku realizon punimin.
Në takimin e dytë bëhet ngjitja e inlay-it në mënyrë fikse në dhëmb. Ndryshe nga kurora, inlay zëvendëson vetëm pjesët e dëmtuara të dhëmbit, kështu që tërësia strukturore e dhëmbit nuk preket.

Veneers

Nëse ju keni dhëmbët tuaj natyralë por, për një sërë arsyesh, nuk ndiheni të lirshëm t’i tregoni ata, por vazhdimisht fshihni buzëqeshjen, ju mund të jeni kandidat i mirë për veneers.
Një përmirësim mahnitës mund të realizohet shpejt me ndihmën e veneers-ave. Ata janë një mënyrë ideale për të ndryshuar formën dhe ngjyrën e padëshiruar. Përmirësimi i ngjyrës dhe formës së dhëmbëve është impakti më i favorshëm që kanë veneers-at.
Bëhet fjalë për shtresa të holla porcelani që përgatiten në laborator sipas masës së gojës dhe teknikisht përshtaten në mënyrë perfekte. Veneers-at kanë pamjen e dhëmbëve natyralë, janë të qëndrueshëm dhe mjaft estetikë. Veneers-at mundësojnë një buzëqeshje ideale pa procedura radikale.

Kur përdoren Veneers-at?

Veneers-at përdoren për të përmirësuar një sërë rastesh si:

  • Dhëmbët e ngjyrosur. Ka disa lloje pigmentimesh ose demineralizimesh që krijojnë pamjen e dhëmbëve të njollosur.
  • Dhëmbët me karies apo dëmtime të sipërfaqes orale kur kërkohet një zgjidhje më afatgjatë sesa ajo që mbushjet adezive (kompoziti) mund të ofrojnë.
  • Mbushjet e mëdha në dhëmbët frontale si pasojë e të cilave dhëmbi ndryshon ngjyrë në vite.
  • Dhëmbë frontal të shkurtër, të vegjël: disa njerëz mund të kenë predispozitë gjenetike për këtë formë dhëmbi, por ajo mund të vijë edhe si pasojë e ndonjë frakture të dhëmbit apo dhe konsumimit të sipërfaqes okluzale si pasojë e fërkimit.
  • Dhëmbët me hapësira ndërmjet tyre.
  • Rregullime të vogla estetike ortodontike.
Si përgatiten?

Tre takime kërkohen për të realizuar veneers-at.

  1. Në takimin e parë bëhet një përgatitje e sipërfaqes së dhëmbit dhe marrja e masës. Ndërkohë punime të përkohshme aplikohen për të mbrojtur strukturën e ekspozuar.
  2. Në takimin e dytë bëhet prova e veneers-ave dhe kontrollohet përshtatja e tyre.
  3. Veneers-i i vërtetë ngjitet në një procedurë të veçantë në takimin e tretë.

Kjo pasohet me dy seanca kontrolli:

  • Seanca e parë vjen pas një jave ku mjeku kontrollon gjendjen e mishrave rreth veneers-ave dhe siguron që kafshimi të jetë adekuat dhe i lirë nga pengesat.
  • Seanca e dytë kontrolluese vjen pas një viti.

Një seancë paraprake nevojitet kur rastet janë të komplikuara (ose me kërkesën e veçantë të pacientit), duke realizuar një model dylli me pamjen finale të veneers-ave.

Sa qëndrojnë?

Veneers-at parashikohen të qëndrojnë 10-20 vite. Porcelani, duke pasur në përbërje substancë organike, i nënshtrohet “plakjes”. Për këtë arsye, veneers-at pas disa vitesh humbasin freskinë dhe hijeshinë dhe kanë nevojë të zëvendësohen. Janë procedura të parikthyeshme kur sipërfaqja e dhëmbit është e përgatitur. Humbja, dëmtimi ose thyerja e një veneers-i kërkon zëvendësimin e tij. Për këtë, mjeku juaj do t’ju pajisë me një maskerinë mbrojtëse dhe do t’ju udhëzojë se si ta përdorni.

Enedent© 2024. All rights reserved.

Terms of Use    Privacy Policy